
Me rastin e shënimit të 21 Marsit – Ditës së Ekologjisë, Komuna e Gostivarit bëri promovimin e Eko-patrullës dhe të aparatit mobil për matjen e ndotjes së ajrit.
“Eko-patrulla vendoset për herë të parë në qytetin e Gostivarit, ndërsa buxheti i sivjetmë për ekologji është rritur pesëfishë më shumë se vitet e kaluara. Kemi bërë shumë në drejtim të mbrojtjes së ambientit dhe kështu vazhdojmë. Aparati, nga ana tjetër, do na mundësojë tani e tutje matje dhe detektim të saktë të ndotjes së ajrit. Komuna e Gostivarit me këtë aparat tani finalizon rrjetin e aparateve që kemi vendosur në disa lokacione për matjen e ndotjes”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Zudi Xhelili – përgjegjës i Departamentit të ekologjisë pranë Komunës së Gostivarit sqaroi se Eko-patrulla përbëhet prej dhjetë anëtarësh, vollonterë nga shoqatat ekologjike të qytetit me mundësi që në të ardhmen e njëjta të institucionalizohet.
Aparati që u promovua për matjen e ndotjes së ajrit ishte donacion nga shoqata tregtare “Inform” nga Shkupi. Përfaqësuesi i kësaj shoqate Sasho Rafajllovski, theksoi se këtë aparat pas kryeqendrës e merr Gostivari përmes së cilit matet jo vetëm niveli, por edhe lloji dhe vendi ku ka më shumë ndotje.
Vullnetarët e Eko-patrullës do të trajnohen nga organizata jo qeveritare “Eko Guerila” nga Tetova, kryetari i së cilës, Arianit Xhaferi mori pjesë në promovimin e së njejtës. Pjesë e aktivitetit ishte edhe Xhabir Deralla nga “Ciliv”, i cili premtoi mbëshetje të parezervë në drejtim të mbrojtjes së ambientit në Gostivar. /Shërbimi për informim I Komunës së Gostivarit
0 Comments